Zgjedhësi, përmes votës së tij, ka fuqinë të vendosë se kush do ta qeverisë.
Kjo është baza e çdo sistemi demokratik: pushteti i përket popullit. Është populli që përmes zgjedhjeve duhet të zgjedhë përfaqësuesit e vet.
Por kur flasim për zgjedhjet në Shqipëri, shpesh dëgjojmë fjalë si korrupsion, klientelizëm, vjedhje votash. Shumë thonë me bindje: “Na i vodhen votat!”.
E megjithatë, nuk shohim protesta të mëdha, as reagime të forta qytetare që të kërkojnë drejtësi për votën e tyre.
Atëherë lind një pyetje:
A janë vërtet vjedhur votat, apo kemi të bëjmë me një popull që nuk sheh më shpresë tek alternativat politike?
A kemi ndoshta një elektorat të lodhur, që nuk beson se vota e tij mund të sjellë ndryshim?
Që nga rënia e komunizmit, Shqipëria ka hyrë në një rrugë të re – por sa ditë të vërteta demokracie ka përjetuar populli?
Mungesa e besimit, ndjenja e pafuqisë dhe rënia e shpresës mund ta çojnë një shoqëri në dorëzim politik, ku zgjedhja nuk bëhet më me dëshirë për ndryshim, por me resignim.
Një parti që fiton me 53% të votave ka një shumicë të qartë, por nëse pjesa tjetër e popullsisë ndjehet e papërfaqësuar, a është ky një sistem që funksionon për të gjithë?
Kur pushteti bëhet shumë i madh dhe kritikët heshtin, rrezikohet vetë fryma e demokracisë.
Filozofët e lashtë si Aristoteli dhe Platoni na kanë kujtuar shpesh se demokracia është një ekuilibër i brishtë – dhe kur ky ekuilibër humbet, ajo që mbetet nuk është më qeverisje nga populli, por një formë e re pushteti që thjesht e mban emrin.
Një ftesë për reflektim
Ky reflektim nuk ka për qëllim të japë përgjigje të gatshme.
Por ka për qëllim të ngrejë pyetje, të hapë diskutime, të nxisë ndërgjegjësim.Sepse demokracia nuk është vetëm një proces çdo katër vjet –
Demokracia është një përgjegjësi e përditshme që na përket të gjithëve.
Evisa Feleqi








Lascia un commento